Bordi i Transparencës publikon çmimet e reja të karburanteve: Nafta zbret në 188 lekë/litër
Bordi i Transparencës ka miratuar çmimet e reja tavan të karburanteve në tregun vendas, duke sjellë një ulje të çmimeve të naftës dhe benzinës.
Vendimi hyn në fuqi më 10 qershor në orën 14:00 dhe do të mbetet i vlefshëm deri në mbledhjen e ardhshme të bordit. Sipas vendimit të publikuar, çmimi maksimal i shitjes me pakicë për gazoilin e standardit SSH EN 590 është përcaktuar në 188 lekë për litër, ndërsa çmimi maksimal i shitjes me shumicë në 176 lekë për litër.
Edhe benzina ka pësuar ulje, me çmimin maksimal të shitjes me pakicë të vendosur në 171 lekë për litër dhe atë të shitjes me shumicë në 159 lekë për litër. Autoritetet sqarojnë se këto çmime do të qëndrojnë në fuqi deri në vendimin e radhës të Bordit të Transparencës, kur do të reflektohen zhvillimet më të fundit në tregjet ndërkombëtare të hidrokarbureve dhe ndikimi i tyre në tregun vendas.
Paralajmërim për operatorët
Bordi i Transparencës u ka rikujtuar operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë të karburanteve detyrimin për të zbatuar çmimet e miratuara, duke paralajmëruar masa administrative ndaj çdo subjekti që nuk respekton vendimin. Sipas njoftimit zyrtar, në rast të shkeljeve të konstatuara, autoritetet mund të vendosin masa deri në pezullimin e aktivitetit të operatorëve përgjegjës.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë theksojnë se mbeten të angazhuara për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në tregun e karburanteve. Ulja e çmimeve vjen pas disa vendimeve të njëpasnjëshme të bordit gjatë javëve të fundit, duke reflektuar luhatjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare të naftës dhe nënprodukteve të saj.